Hapat e Klarës (roman)

Hapat e Klarës (roman)

 

Epilog

 

 

 

Rënia e ziles lajmëroi fundin e orës së mësimit. Nxënësit rendën të gëzuar korridoreve. Boshllëku i krijuar gumëzhinte nga zërat e tyre. Marsela, së bashku me shoqen e saj, zbritën shkallën e fundit të korridorit, kapërcyen sheshin përpara godinës dhe u drejtuan për në konvikt. Te porta kryesore veshtrimi i saj u shtang përpara një gruaje, e cila, para disa muajsh, i buzëqeshte nga banaku. Një djalë i ri qëndronte në krah të saj dhe shikonte si i shastisur. Shtrëngoi shoqen për dore dhe deshi të vazhdonte më tej, por përmendja e emrit i preu këmbët.

- Vazhdo lart! Pas pak, do të vij dhe unë! – i tha Marsela shoqes dhe me një lëvizje koke e detyroi atë të vazhdonte.

Gruaja ruante të njëjtën buzëqeshje, ndërsa ajo mbeti me vështrimin dyshues. Djali bënte lëvizje të kota, madje qesharake para saj.

- Ju jeni Marsela, apo jo?

- Unë jam! – u përgjegj shkurt vajza.

- Besoj se keni ardhur nga qytetin N? - pyeti më shumë për t’u siguruar gruaja.

- Andej vij. Më falni, po ju kush jeni?

- Shumë shpejt do ta mësoni, – dhe vuri buzën në gaz, kësaj rradhe nga kënaqësia.

- Unë nuk ju njoh, – dhe u mat të largohej vajza.

- Jo, shpirt, ti s’mund të largohesh ashtu. E si mund të më njohësh mua? Kanë kaluar shumë vite, nuk janë pak. Të kam ndjekur nga pas. Dija gjithçka rreth teje, vetëkuptohet, jo për keq. S’duhet të kesh frikë nga unë. Sa shumë që i ngjan mamit?!

- Mami më ka lënë të vogël, gati s’e mbaj mend fare. Atë e njoh nga fotografitë dhe me ç’më ka folur babi.

- E çfarë di ti për të?

- Pse e ke njohur? – dhe e vështroi gruan drejt e në sy.

- Si nuk e kam njohur?! Dua të di se çfarë të ka folur për të yt atë. Kjo më intereson më shumë.

- Më ka treguar që i ngjaj shumë.

- Po që ka pasur një baba, të ka thënë, ka pasur dhe një nënë, gjithashtu dhe një motër.

- Kurrë s’më ka folur për gjëra të tilla!

- As për vëllanë?!

- Pse kam vëlla unë?! – thirri e habitur vajza.

- Po, ke shumë të drejtë që çuditesh. Babai t’i ka fshehur të gjitha dhe jo pa qëllim. S’ka vepruar mirë. Sot ti je një vajzë e rritur, i kupton gjërat jo si t’i thonë, por si i mendon.

- Po më befason vertet. Të lutem, më trego kush je ti?

- Do ta mësosh shumë shpejt, – i pëlqente të luante si macja me miun gruas që gati e përpinte vajzën të tërë me atë vështrim të thellë.

- Mua babai më porositi në mënyrë të veçantë për ty.

  • E ndjeu frikën. Nuk mund t’ju fshehë gjithë jetën. Pastaj mua pas do të më ketë si hije.

- Dikur një grua, atje në qytetin tim, më ka folur për një motër të mamit. Babi më foli ashpër, sapo e mori vesh. S’guxova t’ia përmendja më. Ju jeni ajo, apo ndonjë e afërt?

- Teze, - ndërhyri djali në mes. – Më mirë e marrim në shtëpi. Atje bisedojmë gjerë e gjatë.

- Jo, atje nuk vij pa lejen e babit. Mos këmbëngulni kot!

- Ah, moj bijë! – foli me ton tepër të afërt gruaja. – Ti më nxore mallin e sime motre, – psherëtiu dhe nxori shaminë për të fshirë lotët. –Nuk të gëzoi dot…

- Vajza qëndronte e shtangur nga fjalët që nuk trokisnin në vesh, por godisnin tërë qenien e saj. Ishte krejtësisht e thjeshtë për të njohur njerëzit përballë saj. Vendosi t’u hidhej në qafë, por zëri i thirrur nga pas e detyroi të kthente kokën.

- Babi! – thiri ajo dhe me vrull fluturoi në krahët e tij duke e shtrënguar fort.

Gruaja qëndronte e hutuar përballë asaj skene që shihte. Ajo ende nuk u shpreh plotësisht. Vajza ndoshta nuk e besonte ose më saktë një fjalë e tij do ta tërhiqte përgjithmonë prej saj.

- Eja të shkojmë! – i tha vajzës Berti.

  • Mos u trego naiv! – briti gruaja. – Nuk kërkoj ndonjë gjë të madhe, është tepër humane.

Ndali hapat e çmendurisë. Ajo ka të drejtë të njohë tezen dhe vëllanë e saj!Berti u afrua pranë tyre, i zgjati dorën gruas, që ende nuk e kishte marrë veten dhe takoi djalin.

- Merreni vajzën me vete. Pas kaq vitesh mungese, nuk mund t’ju ndjek pas. Përshëndeti prindërit nga ana ime! – dhe u largua me hapa të qetë.

Marsela mes tyre ndihej e lumtur. Tashmë askush s’mund ta ndalonte më. Rruga rrëshqiste poshtë këmbëve fluturuese drejt dashurisë së mohuar. Gjyshja, me duart thatime, vështronte nga ballkoni, hapat e ringjallur të Klarës. Së fundi rruga drejt shtëpisë i përmbysi portat e rënda. Qetësia meskine pushoi së trondituri. Shkëlqimi i diellit reflektonte gjithë gjatësinë.

 

Fund

04.06.1997