REVISTA LETRARE ATUNIS NR.1 – 2 * SHKURT – PRILL * 2O15
REVISTA LETRARE ATUNIS NR.1 – 2 *
SHKURT – PRILL * 2O15
ORGAN I LIDHJES : GALAKTIKA POETIKE “ATUNIS”
Kolegjiumi i Revistës :
Kryeredaktore: Hasije Selishta Kryeziu
Zv / Kryeredaktor : Prof.dr.sc But Jaku
Redaktore : Dr. Albana Alia
Përgjegjës i informacionit Letrar : Agron Shele
Lektore : Lirije Mikeli
Korrektor Letrar : Enertin Dheskali
Pikturat dhe Arti grafik: Irina Hysi
TIRANË - PRISHTINË
ÇDO BASHKËPUNIM ME “ATUNIS” -IN ËSHTË I MIRËPRITUR
Shtypur në shtypshkronjën: Lena Grafik
Shtëpîa Botuese : ATUNIS
PËRMBAJTJA E LËNDËS
EDITORIAL – Stafi i Revistës “ATUNIS”
KRITIKË – ESSE
Pjetër Budi poet dhe prozator. ( Përmbledhje )
-Studim nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha.
Tema e ujit, e verës dhe e gjakut në tragjeditë shakespeariane: Macbeth e King Lear.
-Nga Dr. Albana Alia.
Vepra e Çerkin Ismailit – Një vizion arkitektonik (pjesë nga studimi )
-Nga Prof.dr.sc.But Jaku
Me shpirtin përherë në fluturim. (Referim estetik rreth poezisë së Frederik Rreshpjes)
Shkëputur nga Libri “Ngjyrime Universale (Ese-I )” – Nga Agron Shele.
Gjamë aletheike për atdheun e kthyer në ferr.
Për librin e Kolec Traboinit “Orakujt kanë zbritur në ferr”. – Nga Anton Gojçaj.
Magjia e përkthimit të një matrice poetike.
(Refleksione për librin ” Striptizë poetike në Washington D.C. ” të Moikom Zeqos, botim i Aparkeas – Abraxas, Tiranë 2014) .
– Nga Fatmir Minguli.
Ëngjëll I Berisha: krijimtari e pasur në poezi dhe histori. –Nga Peter Tase.
Disa përvijime përshkrimore: Mbi romanin “Vajza e Agamemnonit” – Ismail Kadare
-Nga Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi.
Një mendim i hapur për lirikën shqipe. – Nga Rami Kamberi.
PROZË
Hiri hyjnor ( Fragmente të shkëputura nga romani : “Hiri hyjnor ” ).
Nga Hasije Selishta Kryeziu.
Djalli që pagova për këshillë. (Fragmente të shkëputura nga romani : “Djalli që pagova për këshillë”) – Nga Jeta Vojkollari
Derbi – Tregim nga Vladimir Myrtezai.
POEZI
Poezi nga Enertin Dheskali.
Poezi nga Eva Kacanja.
Poezi nga Kolec Traboini.
Poezi nga Bilall Maliqi.
Poezi nga Lirije Mikeli
Poezi nga Raimonda Moisiu.
Poezi nga Menduh Leka
Poezi nga Luan Maloku
Poezi nga Merita Berisha
PËRKTHIME
Anglezët e lumnueshëm. ( Reto Rossetti ) –Përktheu Bardhyl Selimi.
Pjesë nga libri ”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”. –Përktheu Meri Lalaj.
Poezi nga Muhammad Shanazar. –Përktheu nga anglishtja Albana Alia.
Poezi nga Giovanni Pascoli. – Përktheu nga italishtja Sinan Vaka
INTERVISTA
Inva Mula: Dikur kam menduar se karriera ishte gjëja më e rëndësishme në jetë.
-Intervistë ekskluzive nga Raimonda Moisiu.
EDITORIAL
Edhe një trëndafil më tepër në kopshtin e universit të letrave shqipe.
Revista “ATUNIS” vjen si prelud dhe shprehje e ndjesive të artit bashkëkohor shqiptar dhe si e tillë ajo përçon vlerat dhe krijimtarinë individuale të poetëve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe eseistëve vendas e të huaj. Veç kësaj, ajo do të shërbejë si ndihmesë e mëtejshme për identifikimin e vlerave më të mira kulturore dhe shpirtërore letrare. Vetë magjia e artit të fjalës të tërheq drejt lëndinave më të bukura të muzave, të rrugëton përtej horizonteve në perëndim, të zhyt në shtjellën e honeve më të thella, të rilind në zbardhëllimin e vesuar të agimeve, të ngjit drejt qiejve të zogut në fluturim, të djeg në terrin e yjeve të përflakur dhe përherë e përherë të mahnit dhe të përfshin pa e kuptuar në vorbullën e fuqishme të ndjesisë, elokuencës dhe madhështisë së mendimit artistik.
Në faqet e kësaj reviste, që në fillim, i është dhënë përparësi e natyrshme përcjelljes së disa informacioneve më të freskëta letrare, si atyre kombëtare ashtu edhe botërore, për të mundësuar rrjedhjen e përbashkët të rrymave të ndryshme drejt mendimit universal dhe, për më tepër, përfshirjen e lexuesit në çaste të risisë krijuese subjektive, të tematikave të ndryshme tërheqëse dhe eksploruese, si edhe të projektimit të praktikave krijuese dhe metamorfike të artit në tërësi.
Letërsia si pjesë përbërëse e deshifrimit të kulturës së të gjitha kohërave, ka ardhur nëpërmjet formave dhe trajtave nga më të ndryshme dhe e gjithë kjo prurje ka pasur në thelb vetëm një qëllim, pasqyrimin me qartësi mendimi të esencës së realiteteve nëpër kohëra, si edhe parashtrimin e ideve metafizike për më shumë zhvillim, prosperitet dhe emancipim shoqëror. Në këtë kontekst dhe brenda larmisë së zhanreve që lëvrohen, vjen sot kristalizimi i idesë sonë, për të përqasur por dhe për të diskutuar e reflektuar për substraktin letrar të përzgjedhur, dritëhijet dhe përthyerjen e koncepteve, ndonëse, shpesh, edhe mund të na kundërvihet. Vetë arti i fjalës është një proces i thellë meditimi, përjetimi dhe frymëzimi i ndjenjave dhe emocioneve sublime, është harmonizim dhe shkrirje e tërësishme me morinë e pafund të natyrave jetësore pa harruar se në skenën e këtij teatri në ekzekutim duhet vepruar me mprehtësi, fuqi shprehëse dhe përpunim idesh. Në fokusin e këtyre prurjeve letrare kanë hyrë shtrirja në kohë, hapësirë dhe gjeografi mendimesh, modele përvijuese rrymash dhe përthyerje konceptesh dhe rregullash formale, vizioni i arsyetimit dhe i perceptimit të ndryshëm të lirisë krijuese individuale.
Prania e mjeteve dhe e koncepteve të reja teknologjike e ka futur sot botën e artit në një epokë të re ndryshimi, shpesh herë edhe të diskutueshme për mënyrën dhe trajtimin e informacionit letrar, por ajo që përbën bazën dhe gjithë ndjesinë e perceptimit dhe shijes së një gjinie të shkruar është botimi në letër, si mundësi e prekjes, shfletimit dhe, më tej, e një shkalle të lartë përjetimi. Në kopshtin e universit letrar shqiptar sot ka çelur edhe një trëndafil i ri, i cili me farfurimën dhe ngjyrën e tij do zbukurojë edhe më shumë natyrën letrare shqiptare.