Promovohet në Bruksel libri me tregime i autorit Lekë Pervizi, “Dans les cercles de l’enfer” ( Rrathët e Ferrit).

09-02-2016 19:39

 

Promovohet në Bruksel libri me tregime i autorit Lekë Pervizi,  “Dans les cercles de l’enfer” ( Rrathët e Ferrit).

 

Në ambientet e Qendrës Kulturore “Flandrër “ Bruksel, u zhvillua promovimi i Veprës Letrare të autorit Lekë Pervizi “Dans les cercles de l’enfer” ( Rrathët e Ferrit), libër i publikuar në frëngjisht nga Shtëpia Botuese franceze  “ Harmatan”. Që në titull libri shpreh qartë dhunën dhe masakrat komuniste ndaj qindra intelektualëve dhe familjeve të tyre, të cilët të burgosur apo nëpër kampe përqëndrimi përjetuan diktatin më të egër dhe më të errët të regjimit më totalitar  komunist në Evropë.  Ngjarje dhe fakte reale, të sjellura nga kampi i internimit “ Tepelenë”, kamp i cili u bë dhe burim shfarosës për qindra gra dhe fëmijë, shoqëruar dhe nga piktura të punuara kryesisht me laps, e drithëruan ambjetin dhe risollën ato imazhe gri, që për dekada të tëra e  poshtëruan dhe e fyen dinjitetin e shqiptarit. Lufta për mbijetesë e këtyre martirëve kishte arritur në atë pikë fatale, sa që dhe për një racion buke më tepër detyroheshin të mbanin të vdekurin edhe dy tre ditë më tepër në gazemën e tyre.  Rrathët e komunizmit kapërcejnë dhe rrathët danteskë duke mbjellur kudo  vdekje dhe mënxyrë. Orfeu ka çjerrë sytë, ndërsa perënditë hanë njëra-tjetrën.

 

Lekë Pervizi

 

Aktivitet u moderua nga Kryatarja e Shkrimtarëve Shëiptarë në Belgjikë, Znj Shiponjë Duro, e cila me mënyrën e organizimit dhe debatin e zhvilluar me panelin drejturs, apo pjesmarësit krijoi një mjedis dhe sferë sa të veçantë, po dhe kaqdhe interesante.  Mesazhi dhe idetë që përcjell ky libër u sollën nga redaktori Safet Kryemadhi, ndërsa një këndvështrim më i thellë rreth rëndësisë dhe karakterit rrëfimtar të kësaj lloj proze u  krye nga Dr. Gjovalin Kola. Myrtea Bajraktari si bashkëvuajtës në këto kampe do sillte të tjera dhe aspekte dhe imazhe gati të gjalla kriminale, imazhe që do e ndjekin gjatë Shqipërinë dhe do përbëjnë për të kujtesën më të dhimbshme dhe më  të pafalshme të historisë së saj.

Montazhet filmike  “ “   të paraqutura nga monitori hodhën dritëhije mbi jetën e autorit Pervizi, jetë e pasur dhe e përmbushur me  gjithanthshmëri artistike, si poet, shkrimtar, përkthyes, piktor, por dhe historian. Një botë kaq e pasur dhe kaq e kompletuar shpreh më së miri jo vetëm euruditizmin e vetë autorit, por dhe klasin e lartë të familjes që përfaqëson, familje që gjithë jetën e kë vendosur veten në shërbim të kombit.

Prezantimet poetike nga Lindita Hajdari ( shqip) dhe  Balada e Bukës nga Mereme Azemi ( frëngjisht) do risillnin të tjera emocione dhe do ti jepnin këtij eventi sfonde sa dramatike për vetë mesazhin që përcilnin  po kaq dhe poetike .

Në fjalën e tij autori Pervizi foli për rëndësinë e shkrimit dhe ruajtjes së kësaj kujtese historike, që gjëra të tilla të mos përsëriten më kurrë.

Edhe nga auditori pati një seri pyetjesh ku vlen të veçohet pyetja e gazetarëve belgë, apo piktore iraniane e cila këtë fatkeqësi kombëtare e krahasonte njëlloj me diktaturën e ushtruar në vendin e saj.

Përgjigjia e fundit, se:  “të gjitha diktaturat kanë të njëjtë fytyrë” do përmbyllte dhe aktivitetin e autorit Lekë Pervizi.

Me këtë rast do përshëndeste dhe uronte për veprën e shkruar me kaq profesionalizëm e vërtetësi edhe përfaqësuesi i Ambasadës Shëiptare të akorduar në Bruksel, Z Jorgji Kote.

Një tufë lulesh ju dhuruan autorit në shenjë mirënjohjeje për qëndresën, por dhe përkushtimin e treguar, si një memorie e gjallë , që jeton dhe punon për të treguar sot dhe nesër atë të shkuar historike të mbushur me aq krime dhe dhimbje njerëzore.

Për gjithë të pranishmit u shtrua dhe një koktel, kohë kjo e mbushur dhe me shpërndarjen e librit për  lexuesin, bisedë të lirë me autorin si dhe foto të shumta.

“Dans les cercles de l’enfer” ( Rrathët e Ferrit) i autorit Lekë Pervizi është një tjetër libër që hedh dritë mbi kalvarin e përvuajtjes njerëzore dhe rezistencës ndaj komunizmit dhe në këtë kontekst ky libër do radhitet në fonetekën e Letërsisë, si një vepër që ka memorizuar të vërtetën më të hidhur dhe më të shëmtuar të gjithë historisë shqiptare.